Ushtari italian vdes pas një sëmundje që dyshohet se e mori në Kosovë, familja e tij kërkon drejtësi
Ivano Testaì , një ushtar nga rajoni i Ennas në Itali, i cili dyshohet se u sëmur nga kanceri për shkak të ekspozimit ndaj uraniumit të varfëruar pas një misioni në Kosovë, ka vdekur.
Ai ishte një ushtarak 42-vjeçar, i cili në përfundim të misionit të tij në Kosovë në vitin 2020 – i vetmi jashtë vendit në karrierën e tij – u diagnostikua me një tumor të shkaktuar nga uraniumi i varfëruar.
Ivano ishte shtruar prej kohësh në spital në Catania dhe vdiq më 24 dhjetor, në prag të Krishtlindjeve, pak para se të martohej me partneren e tij.
Këto ditë ata duhej të festonin dasmën e tyre. Por Jessica mundi ta organizonte vetëm një funeral. “Duhet të shkoja ta merrja” – mërmëriti – “Kishim marrë një prokurë të posaçme për t’u martuar në shtëpi, por nuk kishte kohë”.
“Dhe tani dua drejtësi” – thotë partnerja e tij, Jessica Camiola, e mbetur vetëm me vajzën Angela, as dy vjeçe – “ia kam borxh”. “Shteti ia ka borxh”.
Për tumorin e shkaktuar nga uraniumi i varfëruar denoncojnë familjarët dhe partnerja e tij. Këtë e vërtetojnë analizat që gjetën nanogrimca të varfëruara të uraniumit dhe substanca të tjera në gjakun e 42-vjeçarit, shkruan gazeta italiane, La Repubblica, transmeton Express.
Edhe mediat italiane shkruajnë të bindura se sëmundjen ia shkaktoi uraniumi i varfëruar – një komponent themelor i municionit antitank dhe raketave të lundrimit të përdorura nga trupat amerikane të organizuara në misionet e NATO-s.
Jessica dhe Ivano kishin dëgjuar për të. Jo në thellësi, por të dy e dinin. “Kisha frikë dhe ai e kuptoi. Më tha se ishte gati të hiqte dorë nga misioni dhe të qëndronte me mua, kisha disa muaj që isha shtatzënë. Por për të dy, karriera ishte e rëndësishme”, thotë Jessica.
Ivano u largua nga misioni në qershor 2019, gjashtë muaj më vonë ai u kthye në shtëpi. Me partneren e tyre ata festuan ardhjen në jetë të Angelës, vogëlushes së tyre. Më pas, në pranverën e 2020 filloi kalvari. Analizat dhe hetimet, një operacion i parë në gusht me kimioterapi për t’u ndjekur nga operacione e trajtime tjera, ndërsa tumori i largohej e i kthehej përsëri. “Në nëntor e kishte kudo. Në zorrën e trashë, në mushkëri”, kujton Jessica, e cila tani thotë se do të kërkojë drejtësi për këtë.
“Kanë qenë katër komisione parlamentare hetimore për lidhjen shkakësore midis uraniumit të varfëruar dhe sëmundjeve onkologjike, por gjithçka vazhdon të përcaktohet në gjyq”, shpjegon avokati i Jessicas, Angelo Fiore Tartaglia.
Në vitin 2018, nga Agjencia për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore i kishin thënë Gazetës Express se nga rezultatet e analizave radiologjike të dheut dhe të ujit për vitet 2013, 2014, 2015, 2016, dhe 2017, analiza të marra nga Instituti IRE-ELIT me seli në Bruksel, rezulton se në asnjë mostër dhe në asnjë rast në Kosovë nuk ishte hasur në ndonjë gjurmë të uraniumit të varfëruar.