Paralajmërohet ardhja edhe e disa ekspertëve të tjerë gjermanë në KEK
Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, ka folur për krizën energjetike, me të cilën po përballet vendi kohën e fundit.
Krasniqi ka bërë të ditur se pos ekspertit gjerman, që tashmë ka ardhur për të parë gjendjen e turbinave dhe rotorit të bllokut B2, deri në rregullimin e tij do të vijnë edhe dy ose tre ekspertë të tjerë.
“Ne zakonisht nuk punojmë me individ. Kompania ‘General Electronic’, që është kontraktuar, është prodhuese e turbinës dhe rotorit dhe është kompani që kemi vazhdimisht kontakt me ta për prishjet që bëhen te ne”.
“Nuk është vetëm një ekspert. Gjatë kohës do të vijnë edhe dy-tre të tjerë”, tha Krasniqi.
Krasniqi, mes tjerash, tregoi se pse u desh të angazhohej një ekspert i huaj.
“Askush nuk ka ekspertë të prodhimit të turbinave. Edhe në botë ka pak kompani që prodhojnë turbina dhe rotorë. Kosova ka ekspertë të mirë për mirëmbajtje të termocentraleve, por jo ekspertë të turbinave dhe rotorëve”, tha Krasniqi.
Krasniqi, mes tjerash, tregoi se si erdhi deri te rënia e bllokut B2.
“Më 14 dhjetor, kemi pasur një rënie të bllokut B2 dhe kjo ka ndodhur për shkak të disa defekteve që kanë rrjedhur nga rotori i shtypjes së ulët te turbina, këto pastaj kanë reflektuar edhe në kontenzatorë. E gjithë kjo na ka shtyrë që patjetër të ndalim bllokun dhe nga inspektimet e para është parë që ka një prishje dhe defekt, i cili mund ta dëmtojë më shumë rotorin në njësi dhe turbinën, e për këtë jemi detyruar ta ndalim”, tha ai ne Klan Kosova.
“Pas një kohe që është dashur të bëhet ftohja e bllokut, ekspertët e KEK-ut kanë hequr shtëpizën e jashtme të turbinës, përderisa për shtëpizën e brendshme është dashur patjetër të presim që të vijë një ekspert nga kompania ‘General Electric’, e cila është edhe prodhuese e turbinës”.