Detaje nga kontrata e nënshkruar me ekspertin gjerman për rregullimin e turbinës në KEK
Një ekip i ekspertëve nga Gjermania po qëndrojnë në Kosovë për të bërë inspektimin dhe riparimin e dëmeve të krijuara nga avaria në turbinën e shtypjes së ultë në bllokun B-2. Për angazhimin e tyre janë ndarë rreth 250 mijë euro.
Në njoftimin për nënshkrim të kontratës së publikuar në Komisionin Rregullativ të Prokurorimit Publik, thuhet se arsyeja e angazhimit të këtyre ekspertëve është sepse KEK’u s’ka kapacitete teknike dhe ekspertizë profesionale të përballoj këtë avari me forcat e veta.
“KEKu nuk ka kapacitete teknike dhe ekspertizë profesionale të përballoj këtë avari me forcat e veta, prandaj është e domosdoshme angazhimi i ekspertëve nga Gjermania të GE, që janë prodhuesit origjinal të turbinës. Njësia B2 nuk mund të startohet me këto defekte pa u bërë ky inspektim për të ditur hapat e mëtejmë dhe përcaktuar nivelin e sigurisë se operimit me këtë gjendje. Sa do të jetë nevoja për pjesët e reja, për cilat prej tyre, dhe se cili do të jetë vëllimi i punëve të riparimit duhet ta përcaktohet me këtë inspektim”, thuhet në njoftim.
Kohëzgjatja e kësaj kontrate është 21 ditë, derisa vlera totale e saj është 248 mijë e 650 euro, që i bie rreth 12 mijë euro për një ditë.
Ndryshe, Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka shpërndarë pamje nga puna që po bëhet në Termocentralin B, e ku po asiston edhe eksperti i ardhur nga Gjermania.
Krasniqi ka bërë të ditur se punëtorët e KEK-ut po angazhohen maksimalisht dhe ka treguar se eksperti gjerman po asiston për rikthimin në punë të bllokut B-2 dhe se puna po monitorohet edhe nga ekipi i ekspertëve të KEK-ut.
Krasniqi po ashtu ka bërë të ditur se blloku B-2 nuk pritet të kthehet në punë deri rreth datës 20 janar.
“Duke çmuar angazhimin e ekspertit nga GE i cili po asiston dhe monitoron punën e ekipit i ekspertëve të KEK-ut, falënderoj të gjithë stafin e TC-B-së, të cilët janë duke u angazhuar maksimalisht në sanimin defekteve të bllokut B-2, dhe me këtë rast njoftoi opinionin se ashtu sikur që kam deklaruar në konferencën për media ditë me parë, pritet që njësia B-2 të rikthehet në prodhim rreth datës 20 Janar, 2022, edhe pse përpjekjet e tona të vazhdueshme janë që kjo të ndodhë edhe me herët“, ka thënë Krasniqi.