Katër të vdekur në aksidente trafiku në dy ditët e fundit në Kosovë
Katër persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku dje e sot në rrugët e Kosovës.
Mbrëmë rreth orës 18:25, dy persona, nip e axhë, ndërruan jetë pasi një veturë dhe kamion u përplasën mes vete në Zajm të Klinës. Bëhet fjalë për Miftar dhe Avni Gashin.
Avniu dhe Miftari, sipas Policisë, fillimisht kanë pësuar lëndime të rënda trupore, pastaj janë dërguar në Spitalin e Pejës dhe mjeku kujdestar ka njoftuar se ata kanë arritur atje pa shenja jete.
Ndërsa sot në orën 12:53, në dalje të fshatit Talinovc të Muhaxherëve në Ferizaj, si pasojë e një vetaksidenti ka humbur jetën një 36-vjeçare. Ndërsa dy nipat e saj, Lirimi dhe Arianiti pësuan lëndime të lehta trupore.
Sipas policisë, dyshohet se aksidenti ka ndodhur për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë dhe kushteve në rrugë.
18-vjeçari që po voziste ka humbur kontrollin mbi automjet, duke kaluar në anën e kundërt të drejtimit të lëvizjes, ku e ka goditur një shtyllë elektrike të betonit.
E pak më parë, rreth orës 20:00 në Suharekë ka humbur jetën një tjetër person pasi u godit nga një veturë.