BE: Azilkërkuesit synojnë kryesisht Gjermaninë
Gjermania është destinacioni kryesor për azilkërkuesit në BE. Një e katërta e të gjitha kërkesave fillestare për azil bëhen këtu. Shumica e azilkërkuesve vijnë nga Siria.
355,955 kërkesa për azil janë paraqitur në Bashkimin Evropian nga janari deri në shtator të vitit 2021. Numri më i madh i kërkesave është paraqitur në Gjermani. Me 100,240 kërkesa për azil nga janari deri në shtator 2021, Gjermania është në krye të vendeve të BE-së, në të cilat njerëzit kërkojnë mbrojtje nga persekutimi. Në vend të dytë vjen Franca me 73,255 kërkesa për azil.
Këto shifra u publikuan në një raport të Agjencisë Statistikore të BE-së, Eurostat. Sipas mediave numri i kërkesave për azil në Gjermani është rritur me 15 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Përqindja e kërkesave të bëra në Gjermani në krahasim me vendet e tjera të BE-së është rritur gjithashtu nga 24.3 për qind në vitin 2020, në 28.4 për qind në të njëjtën periudhë në vitin 2021.
Nga vijnë azilkërkuesit?
Shumica e azilkërkuesve vijnë nga Siria (66,145), pasuar nga Afganistani (53,625) dhe Iraku (15,775). Interesante janë edhe shifrat e kërkesave të pranuara për azil. Midis korrikut dhe shtatorit 2021 në BE janë marrë gjithsej 115,025 vendime për kerkesa për azil, shumica e tyre në Gjermani dhe Francë. Por ndërsa në Gjermani nga 29,970 kërkesa 16,300 janë pranuar, në Francë nga 33,325 kërkesa janë miratuar vetëm 9.425.
Vitin e kaluar numri i azilkërkuesve ra ndjeshëm në të gjithë Evropën, kryesisht për shkak të pandemisë korona. Para pandemisë, në vitin 2019, numri i azilkërkuesve ishte 612,000 vetë.