Mijëra fluturime nëpër botë të anuluara për Krishtlindje
Miliona njerëz po përballen me vështirësi në fluturime dhe ashpërsim të masave kundër COVID-19 për Krishlindje, derisa varianti Omicron ka ndikuar në anulimin e mijëra fluturimeve, shkruan BBC.
Italia, Spanja dhe Greqia tashmë e kanë kthyer masën e mbajtjes së maskave në hapësirat e jashtme. Katalonja ka vendosur orën policore gjatë mesnatës, ndërsa Holanda është në izolim.
Ndonëse hulumtimet e reja kanë treguar se Omicroni është më i lehtë sesa variantet e mëparshme, shkencëtarët janë të shqetësuar nga numri i rasteve.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, numri ditor i rasteve me Omicron është ngritur me të madhe.
“Kur të kemi miliona njerëz të infektuar në të njëjtën kohë, nuk do të duhet një përqindje e madhe e këtyre të infektuarve që të shtrihen në spitale”, ka thënë profesoresha e mjekësisë në Universitetin e Michiganit, Hallie Prescott për The New York Times.
Eksperti amerikan i sëmundjeve ngjitëse, Anthony Fauci, ka paralajmëruar gjatë javës se udhëtimet për Krishlindje do të nxisnin përhapjen e variantit të ri edhe te të vaksinuarit plotësisht.
E sipas një website të fluturimeve, mijëra udhëtime janë anular në gjithë botën.
Të premten, kompanitë ajrore të SHBA-së kanë thënë se kanë mungesë të madhe të stafit për shkak se ekipet janë testuar pozitivë ose janë detyruar të izolohen.
“United Airlines” ka bërë të ditur se numri i rasteve me Omicron ka ndikuar direkt në staf dhe njerëzit që kryejnë fluturimet.
Në Australi, mbi 100 fluturime nga Sydney dhe Melbourne janë anuluar për shkak të rasteve të shumta.
Koreja e Jugut, Tajlanda dhe Britania kanë shkurtuar kohën mes dozave gjatë muajit dhjetor.
Në Britani, kryeministri Johnson ka bërë thirrje të marrin dozën përforcuese.
Ndërsa në Kosovës ende nuk ka asnjë rast pozitiv me Omicron, në vendet fqinje tashmë ky variant ka ‘ateruar’.