Ukrainasit s’flasin për luftën, përgatiten për festë: “I kemi dëgjuar të gjitha më herët”
Rusia mund të jetë duke e kërcënuar Ukrainën me luftë, por në kryeqytetin ukrainas, Kiev, këshilli i qytetit po vendos bredha për Kërshëndella e jo njoftime për strehim nga bombat si dhe po organizon koncerte e jo thirrje për rekrutim në ushtri.
“Do ta kaloj Vitin e Ri me familjen dhe miqtë në shtëpi, edhe pse jam e sigurt se do të ketë shumë ndeja në Kiev”, tha Olya Simbirova, 25 vjeçe, që punon një një sallon për flokë në qendër të kryeqytetit. “Në rrethin tim shoqëror, askush nuk po flet për luftë”, shtoi ajo.
Kievi është më shumë se 700 kilometra larg vijës së frontit, ndonëse disa raportime sugjerojnë se Rusia, pas vendosjes së trupave në Bjellorusi, do të mund ta rrethonte kryeqytetin bashkë me qytete tjera të mëdha në lindje ose të përdorë sulme ajrore me cak.
Ndonëse sipas një ankete të Institutit Ndërkombëtar të Kievit për Sociologji, gjysma e ukrainasve do t’i rezistonin pushtimit rus duke i marrë armët në dorë ose përmes rezistencës civile, jo shumë besojnë se do të thirren për ta bërë këtë ose nuk po nguten që të përgatiten.
“E kemi dëgjuar tërë këtë aq shumë herë në vjetët e fundit dhe zakonisht është thjesht hiperbolizim”, tha Simbirova, shkruan The Guardian.
Zonja Yevheniya Burdiyan është nga Donetsku, në lindje të Ukrainës. Ajo tha: “Nuk e kam paketuar valixhen, sepse nuk e kam paketuar as atëherë”, duke iu referuar luftimeve të ashpra në periudhën 2014-2015. Në korrik të vitit 2014, ajo ishte larguar nga qyteti përmes trenit të fundit para se linja hekurudhore të shkatërrohej.