Polici qëlloi në drejtim të të dyshuarit, vret vajzën në zhveshtore të dyqanit në ShBA
Një adoleshente 14-vjeçare, e cila ndodhej në një dyqan rrobash në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara, u vra të enjten, pasi u qëllua nga plumbi që shkrepi një polic, me qëllim të goditjes së një të dyshuari për sulm.
Njëri nga plumbat depërtoi nëpër murin e dyqanit dhe e goditi vajzën që ndodhej në zhveshtore, tha nënkomandanti i Departamentit të Policisë në Los Angeles, Dominic Choi.
“Në mënyrë preliminare, ne besojmë se ai plumb ishte plumb i një polici. Ky incident kaotik, që rezultoi në vdekjen e një fëmije të pafajshëm, është tragjik dhe shkatërrues për të gjithë të përfshirët”, tha komandanti i policisë në Los Angeles, Michel Moore.
“Kam dhënë udhëzime për publikimin e videos së incidentit kritik deri të hënën, më 27 dhjetor, që do t’i përfshijë thirrjet e numrit 911, komunikimet me radio, videon e kamerës së trupit dhe çfarëdo pamje të kamerave të sigurisë dhe dëshmive të tjera të grumbulluara në këtë fazë preliminare”, shtoi ai.
Sipas policisë, oficerët iu përgjigjën thirrjes për një sulm në zhvillim e sipër në një biznes. Gjatë rrugës, policët morën thirrje për të shtëna të mundshme dhe se njerëzit ishin duke kërkuar strehim.
Kur arritën në vendin e ngjarjes, raportohet se policët gjetën një vajzë të gjakosur dhe me lëndime të ndryshme. Ata hasën në të dyshuarin pak më larg dhe ndodhën të shtëna ku i përfshirë ishte një polic.