Biden i ndalon me ligj importet nga provinca Xinjiang e Kinës, shkak “puna e detyrueshme”
Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, ka nënshkruar të enjten ligjin që ndalon importet nga provinca Xinjiang e Kinës, siç njoftuan nga Shtëpia e Bardhë, për shkak të shqetësimeve për punë të detyrueshme atje.
Akti për Parandalimin e Punës së Detyrueshme Ujgure është pjesë e kundërshtimit të ShBA-së kundrejt trajtimit që po i bënë Pekini pakicës myslimane ujgure të Kinës, të cilën Washingtoni e ka etiketuar si gjenocid.
Projektligji u miratua në Kongres këtë muaj pasi ligjvënësit arritën një kompromis midis versioneve të Dhomës dhe Senatit.
Çelësi i legjislacionit është një “supozim i kundërshtueshëm” që vlerëson se të gjitha mallrat nga Xinjiang, ku Pekini ka krijuar kampe ndalimi për ujgurët dhe grupet e tjera myslimane, bëhen me punë të detyruara. Ai ndalon importet nëse nuk vërtetohet ndryshe.
Disa mallra, të tilla si pambuku, domatet dhe polisilikoni që përdoren për prodhimin e paneleve diellore, janë caktuar si “prioritet i lartë” për zbatimin e vendimeve.
Kurse Kina mohon abuzimet në Xinjiang, si një prodhuese e madhe e pambukut, që gjithashtu furnizon shumë botën me materiale për panelet diellore.
Nury Turkel, nënkryetar ujguro-amerikan i Komisionit të ShBA-së për Lirinë Ndërkombëtare Fetare, i tha Reuters këtë muaj se efektiviteti i projektligjit do të varet nga gatishmëria e administratës së Biden për të siguruar që ai të jetë efektiv, veçanërisht kur kompanitë kërkojnë të hiqet dorë.