Ish-ministri i Drejtësisë: Pushteti sot shkeli Besnik Berishën dhe tërë Odën e Avokatëve
Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka reaguar pasi që në mbledhjen e sotme të Qeverisë, u miratua propozim-vendimi për ndalimin e ekzekutimit të vendimit të Këshillit Drejtues të Odës së Avokatëve për të mos caktuar avokat mbrojtës për Shaban Gogaj, i cili po akuzohet për vrasjen e Agonis Tetajt.
Shfuqizimin e këtij vendimi nga Qeveria, Selimi po e sheh si shkelje të avokatit Besnik Berisha, i cili u përjashtua nga ky rast nga Gjykata Themelore në Pejë.
Madje, sipas tij, me këtë vendim, përveç Berishës, u shkel e tërë Oda e Avokatëve.
“Qeveria sot ka shkelur me dy këmbë parimin e barazisë së armëve. Qysh mundet politika me marr vendime për procese gjyqësore. Deri ku shkon kjo autokraci? Besnik Berisha e e tërë oda e avokatëve sot janë shkel nga pushteti. Prej sot as avokatët s’kanë shpëtim nga ky pushtet”, shkroi ai në Twitter.