Franca po u jep fëmijëve “diploma vaksinimi” për t’i inkurajuar
Fëmijët francezë iu ngjitën me ankth prindërve përderisa po hynin në një qendër të madhe vaksinimi në Paris të mërkurën, pastaj dolën të gëzuar me “diplomë vaksinimi”, pasi Franca e nisi fushatën e vaksinimit të fëmijëve 5 deri 11 vjeç kundër Covid-19.
Ministri francez i Shëndetësisë tha të mërkurën se varianti Omicron, që përhapet shpejt, pritet të jetë mbizotërues në Francë nga java e ardhshme, por i përjashtoi kufizimet shtesë në jetën publike tash për tash. Zyrtarët po shpresojnë se shtimi i vaksinimit do të mjaftojë për ta kufizuar trysninë në rritje ndaj spitaleve, ku pacientët me Covid-19 kanë zënë më shumë se 60 për qind të shtretërve.
Në një qendër vaksinimi në Saint-Quentin-en-Yvelines, në periferi të Parisit, fëmijët pritën në radhë në ditën e parë të vaksinimit, me maska të stolisura me këlyshë, lule ose super-heronj, shkruan Associated Press.
Dimitri Marck, 8 vjeç, tha: “Është pak e çuditshme. Dëgjova për këtë në televizor dhe tash jam këtu”. Megjithatë, ai shtoi se i vjen mirë që u vaksinua në mënyrë që të mund t’i shohë gjyshërit për festa.
Sipas të dhënave qeveritare, deri në fillim të dhjetorit, më shumë se 1.000 në 100.000 fëmijë të moshave 6 deri 10-vjeçare ishin të infektuar me koronavirus në Francë. Tash për tash, 145 fëmijë janë të hospitalizuar me Covid të ashpër, ndërsa 27 fëmijë ndodhen në repartet për kujdes intensiv, tha ministri Olivier Veran.