Qyteti kinez izolon 13 milionë banorë pas rritjes së rasteve
Qyteti Xian në Kinë ka vendosur masa të ashpra për udhëtime, duke i vendosur 13 milionë banorët e vet në izolim pas rritjes së numrit të rasteve.
Shifra ditore e rasteve me simptoma të konfirmuara në Xian është rritur për gjashtë ditë radhazi nga 17 dhjetori, shkruan Reuters.
Kjo e çon numrin e përgjithshëm të rasteve lokale në më shumë se 200 gjatë periudhës 9-22 dhjetor, që është përhapje më e vogël se shumë raste tjera jashtë Kinës. Asnjë infeksion me variantin Omicron nuk është regjistruar në Xian.
Në përputhje me politikat e qeverisë qendrore për të mos lejuar asnjë përhapje të madhe, qyteti Xian ua ka bërë të vështirë banorëve largimin nga vendbanimi.
Ata që duan të udhëtojnë jashtë qytetit duhet të dalin negativë në testin për Covid-19 dhe të marrin leje nga punëdhënësi ose autoritetet e nivelit të komunitetit.
Qyteti i ka pezulluar udhëtimet e gjata me autobus dhe ua ka ndaluar hyrjen taksive për udhëtime jashtë qytetit. Autoritetet kanë vendosur policë në dalje të autostradave për t’ua ndryshuar mendjen atyre që kanë për qëllim të largohen.
Duke filluar nga 23 dhjetori, vetëm një person nga secila shtëpi ose banesë mund të dalë për blerje të nevojshme çdo të dytën ditë, ndërsa anëtarët tjerë të familjes duhet të qëndrojnë brenda, pos nëse kanë punë esenciale.