OBSH kërkon anulimin e disa ngjarjeve gjatë festave të fundvitit për shkak të frikës nga varianti Omicron
Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka kërkuar njerëzve që të anulojnë disa nga planet e tyre të pushimeve për të mbrojtur shëndetin publik pasi varianti Omicron po përhapet globalisht.
“Një ngjarje e anuluar është më e mirë se një jetë e anuluar”, tha kreu i OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke shtuar se duhet të merren “vendime të vështira”.
“Në disa raste, kjo do të nënkuptojë anulimin ose shtyrjen e ngjarjeve”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Komentet e tij erdhën pasi ekspertët e shëndetit deklaruan se Omicron tani është varianti dominues në SHBA.
Dhe dr. Tedros shtoi se tani kishte prova se varianti “po përhapet dukshëm më shpejt se… Delta”.
Një numër vendesh – përfshirë Francën dhe Gjermaninë – kanë shtrënguar kufizimet e vendosura për shkak të Covid-19 dhe kanë vendosur kufizime të udhëtimit në përpjekje për të ndaluar përhapjen e variantit të ri. Holanda ka vendosur një bllokim të rreptë gjatë periudhës së Krishtlindjes.
Shtëpia e Bardhë tha të hënën se presidenti Joe Biden nuk po planifikonte “të mbyllte vendin”.
Megjithatë, eksperti më i lartë i sëmundjes infektive në vend, Dr Anthony Fauci, paralajmëroi më herët se udhëtimi i Krishtlindjeve do të rriste përhapjen e Omicron edhe në mesin e të vaksinuarve plotësisht.
Në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri Boris Johnson tha të hënën se qeveria duhet të “rezervojë mundësinë” për të sjellë rregulla të reja në Angli ndërsa rastet e Omicron u rritën, por nuk njoftoi kufizime të mëtejshme.
Festimet e Vitit të Ri në sheshin Trafalgar të Londrës janë anuluar “në interes të sigurisë publike”, tha kryebashkiaku Sadiq Khan.
Ndryshe, Omicron – i zbuluar për herë të parë në Afrikën e Jugut në nëntor – është klasifikuar si një “variant shqetësimi” nga OBSH.