Këto janë kërkesat që Rusia ka për Perëndimin, përmendet NATO-ja
Rusia të premten paraqiti një varg garancish të sigurisë që i dëshiron nga Perëndimi, përfshirë premtimet për të hequr dorë nga aktitivetetet ushtarake në Ukrainë dhe Evropë Lindore dhe moszgjerim të mëtejmë të NATO-s.
Zëvendësministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Ryabkov, u tha gazetarëve se Rusia dhe Perëndimi duhet të fillojnë nga një fletë e pastër për t’i rindërtuar marrëdhëniet, shkruan Reuters.
Agjencia e lajmeve “RIA” i përmblodhi propozimet e Moskës si në vijim:
– Të përjashtohen zgjerimi i mëtejmë i NATO-s dhe pranimi i Ukrainës në aleancë;
– Të mos dërgohen trupa dhe armë shtesë jashtë shteteve ku kanë qenë në maj të vitit 1997 (para se ndonjë shtet i Evropës Lindore t’i bashkohej NATO-s), me përjashtim të rasteve të veçanta, me pëlqimin e Rusisë dhe anëtareve të NATO-s;
– Të braktisen të gjitha aktivitetet ushtarake të NATO-s në Ukrainë, Evropë Lindore, Kaukaz dhe Azi Qendrore;
– Të mos vihen në gjendje gatishmërie raketa me rreze të shkurtër dhe të mesme aty ku mund ta godasin territorin e palës tjetër;
– Të mos kryhen ushtrime me më shumë se një brigadë ushtarake në një zonë kufitare sipas marrëveshjes dhe të mos shkëmbehen rregullisht informata rreth ushtrimeve ushtarake;
– Të konfirmohet që palët nuk e cilësojnë njëra-tjetrën si armike dhe të pajtohen për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve në mënyrë paqësore dhe të përmbahen nga përdorimi i forcës;
– Të ketë zotim për të mos krijuar kushte që mund të perceptohen si kërcënim nga pala tjetër;
– Të krijohen linja për kontakte urgjente.