Deputeti holandez urdhërohet t’i fshijë postimet, i krahasoi masat kufizuese me Holokaustin
Një deputet djathtist në Holandë është urdhëruar që t’i fshijë postimet në rrjetet sociale ku masat kufizuese kundër Covid-it i krahasoi me Holokaustin.
Thierry Baudet, kryetar i partisë Forumi për Demokraci, kishte shkruar në Twitter se personat e pavaksinuar janë “çifutët e rinj” dhe “ata që shikojnë larg përjashtimeve” janë “nazistët e rinj”.
Postimet e tij nxitën masa ligjore nga të mbijetuarit dhe grupet hebraike. Një gjykatë e urdhëroi deputetin që t’i fshijë postimet brenda 48 orëve ose mund të dënohet me 25.000 euro, shkruan BBC, përcjell Gazeta Express.
Atij gjithashtu iu ndalua publikimi i fotografive të Holokaustit gjatë debateve për rregullat kundër koronavirusit.
Në një varg postimesh në rrjete sociale në nëntor, Baudet bëri krahasime mes personave të pavaksinuar dhe viktimave të përndjekjes naziste për shkak të rregullave kundër pandemisë në Holandë, që ua ndalojnë qasjen në disa hapësira publike personave të pavaksinuar.
Deputeti Baudet gjithashtu publikoi një fotografi të një kampi nazist të përqendrimit me përshkrimin: “Si është E MUNDSHME që të mos shihet se si historia po përsëritet?”