Sëmundja misterioze mbyt 89 persona, OBSH dërgon shkencëtarët në Sudan
Një task-forcë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë është dërguar në Sudanin Jugor për të hetuar një sëmundje të paidentifikuar, që ka lënë 89 të vdekur.
Ministria e Shëndetësisë e këtij shteti afrikan raportoi se një sëmundje e panjohur ka vrarë dhjetëra njerëz në qytezën veriore, Fangak, në rajonin Jonglei.
OBSh-ja dërgoi një ekip shkencëtarësh për përgjigje të shpejtë në zonë, që është një nga më të goditurat nga vërshimet e rënda, për të marrë mostra nga personat e sëmurë.
Zyrtarët shëndetësorë lokalë në Fangak thanë se nga mostrat fillestare, të sëmurët rezultuan negativë në testin për kolerë, shkruan Daily Mail, përcjell Gazeta Express.
“Vendosëm që të dërgojmë një ekip për reagim të shpejtë për të shkuar dhe për të bërë vlerësim të rrezikut dhe hulumtim”, i tha BBC-së Sheila Baya nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Ajo shtoi se ekipi i shkencëtarëve duhet të shkojnë në Fangak përmes helikopterit për shkak të vërshimeve të mëdha në atë zonë dhe se grupi po e pret transportin për t’u kthyer të mërkurën në kryeqytetin Juba.
Në rajonin fqinj, Unity, vërshimet e kanë rritur përhapjen e sëmundjeve si malaria dhe kanë shkaktuar kequshqyerje të fëmijëve për shkak të mungesës së ushqimit, tha ministri shtetëror i tokës, strehimit dhe shërbimeve publike.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatë, UNHCR, thotë se mbi 700.000 njerëz janë prekur nga vërshimet më të rënda në këtë pjesë në gati 60 vjet, duke i fajësuar ndryshimet klimatike për këtë fatkeqësi.