Italia drejt një gjendjeje të re të jashtëzakonshme për shkak të COVID-19
Qeveria italiane e drejtuar nga kryeministri Mario Draghi pritet të aprovoj sot, 14 dhjetor, një vendim të rëndësishëm mbi kohëzgjatjen e gjendjes së emergjencës pandemike kombëtare.
Më 31 dhjetor 2021 është afati i përfundimit të saj, e vala e katërt e infektimit nga Covid 19, e ka bërë të detyrueshme marrjen e një vendimi të ri.
Në pamundësi për të tejzgjatur gjendjen e jashtëzakonshme aktuale, zërat mediatike nga burime të selisë së kryeministrisë italiane zbardhin tre rrugë të mundshme; miratimin e një drafti të ri ligjor që do të shpall një gjendje të re të jashtëzakonshme shëndetësore me afat të ri kohor; një amendament me masa të reja që është në diskutim në parlament; ose futjen e një normative të re në draft ligjin që pritet të aprovohet nga qeveria në këtë fund vit për të përballuar situatat emergjente kombëtare mes të cilave dhe këto probleme juridike, raporton oranews.
Debati politik mbi vendimin e ardhshëm të qeverisë ka vënë përballë të djathtën e të majtën italiane.
Liderja e partisë së djathtë Fratelli d’Italia, Giorgia Meloni shprehet se pas dy vitesh gjendje emergjence e jashtëzakonshme nuk ka kuptim të jetë më diçka e tillë.
Pas dy vitesh, thotë ajo, qeveria duhet tja kishte dalë të luftone pandeminë e t’i rikthente qytetarëve të gjithë të drejtat e tyre.
Matteo Salvini lideri i Partisë Lidhja, shprehet më i kujdesshëm e kërkon të pres fundin e dhjetorit për të analizuar të gjitha të dhënat e kurbës pandemike.
“Jemi ende në mes të dhjetorit e para marrjes së vendimeve duhen dëgjuar kryetarët e bashkive të qyteteve e guvernatorët e rajoneve italiane”, thotë ai.
Ndërsa e majta italiane është plotësisht e bindur mbi nevojën e zgjatjes së emergjencës së jashtëzakonshe.
Kreu i Partisë Demokratike Enrico Letta shprehet se është pjekur momenti për të marrë një vendim të tillë mbi shtyerjen e emergjencës shëndetësore”.
Po ashtu dhe kryetari i Lëvizjes 5 Yje, Giuseppe Conte thotë se “përballë një varianti të ri kaq infektues e të rrezikshëm e kurbës pandemike që preokupon, është e nevojshme marrja e një mase të tillë.”
Sipas medieve Italiane gjendja e re e jashtëzakonshme në Itali mund të zgjatet me një afat deri më 31 mars 2022.