ShBA-ja e Izraeli do të diskutojnë ushtrime për shkatërrimin e qendrave bërthamore të Iranit
Shefat e mbrojtjes nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli pritet që të enjten të diskutojnë për ushtrime të mundshme ushtarake për t’i shkatërruar qendrat bërthamore të Iranit, nëse diplomacia dështon dhe nëse udhëheqësit e këtyre dy shteteve kërkojnë një gjë të tillë, i tha agjencisë “Reuters” një zyrtar i lartë amerikan.
Bisedimet e planifikuara të ShBA-së me ministrin izraelit të Mbrojtjes, Benny Gantz, vijnë pas raportimit të 25 tetorit të udhëheqësve të Pentagonit para këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare, Jake Sullivan, për grumbullin e plotë të opsioneve ushtarake në dispozicion për t’u siguruar që Irani të mos jetë në gjendje të prodhojë armë bërthamore, tha të mërkurën ky zyrtar, duke folur në kushte anonimiteti.
Irani mohon se synon të prodhojë armë bërthamore, duke thënë se dëshiron teknologji të avancuar bërthamore për qëllime paqësore, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.
Përgatitjet mes Shteteve të Bashkuara e Izraelit, që nuk janë raportuar më parë, e theksojnë shqetësimin e Perëndimit rreth bisedimeve të vështira bërthamore me Iranin, për të cilat Presidenti Joe Biden kishte shpresuar se do ta ringjallin marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, e cila ishte braktisur nga paraardhësi i tij në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump.
Por zyrtarët amerikanë dhe evropianë kanë shprehur zhgënjim pas bisedimeve javën e kaluar për shkak të kërkesave të gjera nga qeveria e re iraniane, duke i shtuar dyshimet në Perëndim se Irani po luan për të fituar kohë përderisa po e zhvillon programin bërthamor.
Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA) tha javën e kaluar se Irani e ka filluar procesin e pasurimit të uraniumit me nivel të pastërtisë deri në 20 për qind me një grumbull të 166 makinave të avancuara, IR-6, në një qendër të ndërtuar brenda një mali, duke e bërë atë më të vështirë për t’u sulmuar.