“Gjendja është shumë kritike” – Zvicra i ashpërson masat kundër pandemisë
Zvicra të premten vendosi masa më të ashpra në luftën kundër pandemisë në kohën kur qeveria po zhvillon betejë me rritjen e infeksioneve dhe arritjen e variantit Omicron në shtetin e pasur.
Autoritetet do ta zgjerojnë kërkesën për përdorimin e maskave dhe pajisjen me certifikatën që dëshmon se personi është i vaksinuar ose e ka kaluar virusin, tha qeveria zvicerane.
Maskat duhet të përdoren në hapësirat e mbyllura kudo që kërkohet certifikata e vaksinimit ose kalimit të virusit, raporton Reuters, përcjell Gazeta Express.
Qeveria gjithashtu e përforcoi thirrjen që njerëzit të punojnë nga shtëpia, ndërsa kompanitë do të kenë të drejtë që hyrjen t’ua lejojnë vetëm personave të vaksinuar ose të shëruar.
Këto masa do të hyjnë në fuqi nga e hëna e 6 dhjetorit dhe do të jenë efektive deri më 24 janar.
“Këshilli Federal tash për tash vlerëson se gjendja është shumë kritike. Paraqitja e variantit Omicron gjithashtu paraqet sfida të reja për menaxhimin e pandemisë”, thuhet në deklaratën e qeverisë.
Sipas Zyrës Federale për Shëndet Publik, tri raste të variantit Omicron janë raportuar deri më tani në Zvicër. Personat e infektuar janë vendosur në izolim, ndërsa ata që kanë pasur kontakte me të infektuarit janë vendosur në karantinë.
Zvicra i ka ashpërsuar edhe rregullat për hyrje në territorin e saj. Udhëtarët nga 23 shtete duhet të kenë test me rezultat negativ për Covid-19 dhe të karantinohen për dhjetë ditë.