Jep dorëheqje komandanti i FSK-së Rrahman Rama
Ka dhënë dorëheqje komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës Rrahman Rama.
Klan Kosova mëson se Rama do të marrë një pozitë tjetër që lidhet me bashkëpunimin me NATO-n.
Sipas burimeve brenda FSK-së në vend të tij pritet të caktohet Bashkim Jashari.
Bashkim Jashari i përket familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, përkatësisht është djali i Rifat Jasharit.
Ndryshe, para pak ditësh ishte paralajmëruar shkarkimi i Ramës nga pozita e komandantit të FSK-së.
Albanian Post duke u thirrur në burime pati raportuar se Rama pritet të shkarkohet për shkak të mospajtimeve mes tij dhe Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj. Albanian Post thotë se procedurat për shkarkimin e tij kanë nisur para dy muajsh.
Mospajtimet midis komandantit të FSK-së dhe Ministrit të Mbrojtjes kanë arritur pikën kritike më 18 shtator, dy netë para aksionit të Policisë së Kosovës për të vendosur reciprocitetin për targat me Serbinë.
Mbrëmjen e 18 shtatorit, ministri Mehaj e ka urdhëruar komandën e Forcës së Sigurisë të Kosovës që FSK-ja t’i lyejë katër automjete të blinduara ushtarake M1117 ASV, pronë e FSK-së, me ngjyrë të kaltër, me arsyetimin se do të përdoreshin në mbështetje të aksionit të policisë në veri të vendit.
Rama ka folur në T7 lidhur me këto raportime. Ai ka thënë se ende nuk ka pranuar asgjë zyrtare nga Qeveria.
“S’kam pranuar asgjë zyrtare nga qeveria”, pati deklaruar ai.