DW: Gjermania drejt brigjeve të reja
Koalicioni i parë qeveritar trepartiak, SPD, Të Gjelbrit e liberalët në nivel federate në Gjermani është gati. Motoja e përbashkët e tij: “Të guxohet më shumë progres” tingëllon shumë premtuese, mendon Marcel Fürstenau.
Gjermania do të ketë së shpejti një aleancë të re qeverisëse, që në këtë konstelacion nuk e ka pasur ndonjëherë.
E drejtuar nga fituesja e papritur e zgjedhjeve, Partia Socialdemokratike e Gjermanisë, SPD.
Kjo forcë politike, më e vjetra në Gjermani e dalë nga lëvizjet punëtore të shekullit të 19-të, ka treguar disa herë në historinë e saj të gjatë guxim për transformimin.
Së fundmi në fund të këtij mijëvjeçari kur së bashku me Të Gjelbrit modernizoi politikën e ngurtësuar të atëhershme të tregut të punës, atë sociale dhe politike nën emrin “Axhenda 2010”.
Një ndryshim radikal i kursit, që e shëroi të sëmurën e Europës siç quhej atëherë Gjermania. Me këtë ekonomia e katërt më e madhe e botës u rigjenerua dhe mundi të luante rolin e rëndësishëm të lokomotivës drejtuese ekonomike në Europë.
Secila parti ka vënë gjurmën e vet
Që nga ky ndryshim radikal kursi pati edhe shumë të humbur nuk vihet në dyshim.
Varfëria relative në Gjermani është shqetësuese, askund tjetër nuk ka një sektor më të zgjeruar të rrogave të ulta.
Këtë do ta ndryshojë qeveria e re semaforit siç quhet mes socialdemokratëve (të kuqtë), liberalëve (me ngjyrën e verdhë si simbol) dhe Të Gjelbërve.
Ajo do të ndryshojë sektorin e rrogave të ulta duke e rritur pagën minimale në 12 euro. Me këtë Olaf Scholz, kancelari i ardhshëm i Gjermanisë dhe pasues i Angela Merkelit bën realitet një premtim qendror të SPD-së. Kjo është pozitive, sepse do të përfitonin rreth 10 milionë vetë.
Ndërkohë që kjo inciativë e re ishte një temë mjaft e debatur në bisedimet e koalicionit.
Liberalët, FDP të orientuar nga ekonomia e tregut, nuk shohin asgjë të mirë nga ndërhyrja e shtetit në autonominë e tarifave.
Nga ana tjetër, FDP arriti të ketë sukses në koalicion me kërkesën e saj që të ruhej ligji për frenimin e borxheve që është futur edhe në kushtetutë. Kurse dora e Të Gjelbërve vihet re në temën e tyre kryesore: klimën. Kështu për shembull dalja nga energjia e qymyrit është përafruar nga viti 2038 në vitin 2030.
Shtab krize për luftën kundër Coronës
Të tre partitë e koalicionit kanë treguar një aftësi të madhe kompromisi.
Në zbatimin e programit të tyre ambicioz për Gjermaninë, Europën dhe botën ata do të kenë nevojë për aleatë përtej tavolinës së kabinetit qeveritar dhe jashtë parlamentit.
Brenda Gjermanisë duhet që fjalët e tyre të pasohen nga veprat. Një fillim i mirë është që vënia nën kontroll e pandemisë të merret në dorë nga një shtab ekspertësh dhe krize.
Olaf Scholz garanton vijimësinë në Europë
Në këtë fushë me mjaft pengesa, qeverisë së re gjermane i duhet të veprojë me shumë kujdes, por të ketë edhe vendosmërinë e duhur.
Kjo vlen edhe në marrëdhënien me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, që duan të bëhen anëtare të BE.
Tingëllon bukur në marrëveshjen e koalicionit, që Gjermania ashtu si tradicionalisht e percepton përgjegjësinë e saj të madhe në BE “në koncept shërbyes”.
Në traditën e Willy Brandt-it
Edhe kundrejt vendeve si Kina, Rusia, Turqia koalicioni kërkon të bëjë ata që pas vitesh tensionesh të shtuara është e pashmangsgme.
Të këmbëngulë në respektimin e të drejtave të njeriut dhe megjithë marrëdhëniet në krizë të ruajë dialogun. Për të gjitha këto sfida kombëtare e ndërkombëtare duket se të tre partnerët e koalicionit, SPD; Të Gjelbrit, dhe FDP kanë gjetur një bazë të përbashkët.
Motoja e gjetur për koalicionin “Të guxohet më shumë progres” nuk të kujton rastësisht sloganin e SPD nga koha e kancelarit socialdemokrat, Willy Brandt.
“Të guxohet më shumë demokraci”, një premtim i koalicionit të atëhershëm të arritur me FDP. Një premtim që Gjermaninë e atëhershme e shpluhurosi në aspektin shoqëror e politik dhe në arenën politike botërore çoi në politikën e çtensionimit me bllokun komunist.
Që koalicioni qeveritar e prezanton veten si “aleancë për liri, drejtësi dhe qëndrueshmëri” është së pari konfirmim i identitetit të vetë partive. FDP ka në botëkuptimin bazë të saj lirinë, SPD-ja drejtësinë dhe Të Gjelbrit qëndrueshmërinë ekologjike. Kush mund të ketë diçka kundër tingëllimit të kësaj trioje? Vetëm ata që brenda e jashtë Gjermanisë janë për nacionalizmin, izolimin dhe politikën autoritare, e që nuk janë pak. Përballja me ta me vetëbesim, qëndrim demokratik dhe atmosferë ndryshimi është sinjali më i mirë që vjen nga Gjermania.