Merkel bën thirrje urgjente për vaksinim pasi u shënua rekord javor i infeksioneve në Gjermani
Pasi që Gjermania po shënon nivelin rekord të infeksioneve që nga fillimi i pandemisë, kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel ka bërë thirrje për vaksinim.
Merkel përmes një video-mesazhi të shtunën u bëri thirrje të pavaksinuarve që ta rishqyrtojnë vendimin e tyre.
“Javë të vështira shtrihen para nesh dhe mund të shihni që unë jam shumë e brengosur. I kërkoj urgjentisht secilit që nuk është vaksinuar ende: të lutem rishqyrto (vendimin për të mos u vaksinuar)”, tha Merkel.
“Gjithmonë na ka ndihmuar, kur shtetet dhe qeveria federale kanë punuar së bashku dhe për t’i bërë rregullat të njëjta”, shtoi politikania që është në ditët e fundit të saj në pushtet.
Shkalla javore e infeksioneve në Gjermani, që është numri mesatar i të infektuarve me koronavirus në 100.000 banorë për një javë, të shtunën shkoi në 277.4, treguan të dhënat e Institutit “Robert Koch”, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Sinjali.
Qeveria federale pritet të takohet javën e ardhshme me udhëheqësit rajonalë të 16 shteteve gjermane për të diskutuar rreth ashpërsimit të masave kufizuese, ndonëse tri partitë që po zhvillojnë bisedime për formimin e koalicionit të ri qeveritar janë pajtuar që të mos e zgjasin afatin e gjendjes emergjente përtej 25 nëntorit. Gjendja emergjente është në fuqi që nga fillimi i pandemisë.