Rritet numri i personave që kërkojnë ndihma ushqimore në SHBA
Nga bankat e ushqimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është dhënë alarmi. Rrjeti në krye të “Feeding America” një organizatë jo fitimprurëse, ka ngritur shqetësimin se nuk do të mund më të përmbushë kërkesat për ushqim të njerëzve më në nevojë, shkruan euronews
Përveç krizës së lidhur me pandeminë dhe mungesat në zinxhirin furnizues që prek shumë ekonomi në të gjithë botën, ka dhe një rritje rekord të çmimeve të prodhimeve ushqimore. Çmimet janë më të larta në krahasim me 9 muaj më parë. Çdo gjë është dyfishuar dhe në disa raste trefishuar.
Që nga fillimi i emergjencës shëndetësore si pasojë e Covid 19, rreth 60 milion persona në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur akses në ndihmat e këtyre bankave ushqimore. Gra dhe burra të çdo moshe, të cilët çdo ditë luftojnë për të ushqyer fëmijët e tyre. Ata e bëjnë një gjë të tillë pasi produktet në markete janë shumë të shtrenjta. Dhe paratë që mund të fitojnë nuk dalin për ushqime dhe për pagesat e tjera, raporton abcnews.al
Që nga bregu lindor në atë perëndimor, dhe nga Nju Jork në Los Anxheles. Janë të shumtë ata që janë gjendur në vështirësi financiare, për pasojë të pandemisë dhe krizës financiare. Me afrimin e periudhës së festave, të gjithë duhet të bëjnë sakrifica.
Organizata e Kombeve të Bashkuara për ushqimin dhe agrokulturën – FAO deklaroi se në muajin tetor të këtij viti çmimet e ushqimeve në botë kanë arritur nivelin më të lartë që nga korriku 2011, duke regjistruar rritje për të tretin muaj radhazi.
Sipas agjencisë së Kombeve të Bashkuara kjo situatë është shkaktuar nga rritja e çmimit të drithërave dhe të vajit bimor. Vetëm vaji i palmës ka një rritje të çmimit prej 9.6 për qind. Korrjet e reduktuara të eksportuesve të mëdhenj si Kanada, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kontribuar në rritjen e çmimit të grurit me 5%.
Analistë ekonomikë shprehen se është e pamundur që situata të përmirësohet brenda një kohe të shkurtër. Sipas tyre do të duhen muaj për të zgjidhur krizën e mungesës globale të ushqimit. Ndërkohë çmimet vijojnë të rriten.