Ushtria izraelite vret palestinezin 13-vjeçar në Bregun Perëndimor
Një palestinez 13-vjeçar është qëlluar dhe është vrarë nga të shtënat izraelite gjatë përleshjeve në Bregun e pushtuar Perëndimor të premten, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë.
Adoleshenti, i identifikuar si Mohammad Daadas, vdiq si rezultat i një plage të shkaktuar nga arma në bark gjatë përleshjeve me forcat izraelite afër fshatit Deir al-Hatab të Bregut Perëndimor, thuhet në deklaratën e zyrtarëve shëndetësorë. Daadas u dërgua në spital, ku stafi mjekësor e shpalli të vdekur.
Shërbimi mjekësor i Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze tha se forcat izraelite hapën zjarr me plumba të vërtetë si dhe përdorën gaz lotsjellës e plumba gome ndaj protestuesve dhe i mbyllën rrugët përreth, duke ua pamundësuar ambulancave hyrjen në vendin e ngjarjes. Nuk u raportua për lëndime serioze të të tjerëve.
Në një deklaratë të publikuar të premten më vonë, ushtria izraelite tha se dhjetëra palestinezë afër fshatit Deir al-Hatab filluan që t’i sulmonin me gurë trupat izraelite, të cilat u kundërpërgjigjen me të shtëna.
Sipas agjencisë palestineze të lajmeve, “Wafa”, djaloshi i vrarë ishte nga kampi i refugjatëve “Askar”, që ndodhet në periferi të qytetit verior, Nablus.
Përleshjet mes forcave izraelite e palestinezëve janë të zakonshme në Bregun Perëndimor të premteve. Gjatë gjashtë muajve të fundit, ka pasur përleshje javore afër qytezës Beita, ku palestinezët mbajnë protesta kundër ndërtimit të vendbanimeve paautorizuara izraelite, për të cilat thonë se janë ndërtuar në tokën e tyre. Së paku pesë protestues janë vrarë gjatë përleshjeve.
Sipas një marrëveshje të arritur në qershor mes qeverisë izraelite dhe ardhësve të Eviatarit, ardhësit u larguan nga vendbanimi, por ndërtesat mbeten të paprekura dhe po ruhen nga ushtarët. Palestinezët e kanë refuzuar marrëveshjen, duke thënë se është një hap i Izraelit drejt marrjes së tokës së tyre.
Javën e kaluar, autoritetet izraelite e miratuan ndërtimin e 3.000 shtëpive të reja në Bregun Perëndimor dhe gjithashtu u pajtuan të enjten që të ndërtojnë 1.300 njësi banimi për palestinezët që jetojnë në zonat e Bregut Perëndimor që janë nën kontrollin e plotë të Izraelit.
Izraeli e pushtoi Bregun Perëndimor në luftën e vitit 1967 dhe ka ndërtuar dhjetëra vendbanime, ku jetojnë mbi 500.000 ardhës. Palestinezët synojnë që këtë territor, Jerusalemin lindor dhe Rripin e Gazës t’i kenë pjesë të shtetit të tyre në të ardhmen dhe vendbanimet izraelite i cilësojnë si pengesë të madhe për zgjidhjen e konfliktit.