Ish-truproja e Macronit dënohet me tri vite burgim
Ish-truproja dhe ish-këshilltari për siguri i presidentit francez, Emmanuel Macron, është dënuar me tri vite burgim, dy prej të cilave me kusht, rreth protestave të vitit 2018.
Skandali i “Ditës së Majit” ishte turpërim për Macronin, i cili pritet të garojë për një mandat të ri në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, shkruan Reuters.
Një gjykatë franceze tha se Benalla, i cili u shpall fajtor për përdorim të paligjshëm të pasaportës diplomatike dhe mbajtje të paligjshme të armës, u soll me ndjenjën e pandëshkueshmërisë dhe plotfuqishmërisë, raportoi një reporter i pranishëm në sallë.
Dënimi i gjykatës ishte më i ashpër se ndëshkimi me 18 muaj burgim me kusht, që ishte kërkuar nga prokurorët.
Macroni dhe ekipi i tij ishin kritikuar ashpër në vitin 2018 për mosshkarkimin e menjëhershëm të Benallas, i cili ishte përjashtuar nga puna vetëm gjashtë javë pas incidentit, kur në publik kishte dalë një video.
Në video shihej Benalla duke u marrë fizikisht me protestuesit gjatë një operacioni të udhëhequr nga policia. Edhe pse lejohej si vëzhgues, ai përfundoi duke marrë vetë pjesë në operacion, me rroba që kishin simbole të policisë. Ai ka thënë se vetëm ka dashur që t’i ndihmojë policët dhe se nuk ka bërë asgjë të paligjshme.