Ekonomi se jo mahi: Ja sa vende pune u hapën në ShBA për një muaj
Punëdhënësit amerikanë kanë punësuar më shumë punëtorë të rinj në tetor sesa është pritur, pas një rënie të trendit gjatë verës.
Sipas të dhënave zyrtare, kompanitë shtuan 531.000 vende të reja pune dhe shkalla e papunësisë shënoi rënie të vogël e tani është në shifrën prej 4.6 për qind, shkruan BBC.
Përhapja e variantit Delta të koronavirusit dhe rritja më e ngadalshme ekonomike e goditi hapjen e vendeve të reja të punës gjatë verës, bashkë me ngurrimin e punëtorëve të sektorëve të caktuar për t’u kthyer në punë.
Kjo situatë ka lënë shumë punëdhënës në vështirësi për ta plotësuar stafin dhe për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje. Shumë punëdhënës po i rrisin pagat për ta mbajtur stafin e tanishëm dhe për të tërhequr punëtorë të rinj. Departamenti i Punës tha se paga mesatare është rritur për 4.9 për qind në krahasim me vitin e kaluar.
Të dhënat e rishikuara për shtator gjithashtu treguan se në atë periudhë është hapur një numër shumë më i madh i vendeve të punës – 312.000 – sesa shifra që ishte raportuar fillimisht – 197.000.
Dy muajt e fundit shfaqin një trend në rritje të numrit të vendeve të punës, por ecuria pozitive ende është nën shkallën që është shënuar në pjesën e parë të vitit.
Ende janë pesë milionë njerëz më pak të punësuar në ekonominë e ShBA-së se para fillimit të pandemisë.