Der Spiegel: Diplomati që u gjet i vdekur afër ambasadës ruse ishte agjent sekret
Shërbimet gjermane të sigurisë besojnë se një burrë që u gjet i vdekur në një rrugë pranë ambasadës ruse në Berlin muajin e kaluar ishte një agjent i fshehtë i shërbimit rus të inteligjencës, FSB, raportoi të premten revista gjermane, “Der Spiegel”.
Trupi i burrit 35-vjeçar u gjet më 19 tetor, sipas revistës. Duke cituar burime të sigurisë, revista e njohur gjermane tha se burri kishte rënë nga një kat i sipërm i ambasadës, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Policia e Berlinit refuzoi të jepte ndonjë koment dhe të gjitha pyetjet i drejtoi te prokurorët publikë, të cilët nuk ishin menjëherë të qasshëm për koment. Gjetja e një trupi afër misionit diplomatik rus nuk është raportuar më herët.
Burimet e sigurisë i thanë revistës se është e paqartë se si diplomati ka rënë dhe se çfarë e ka shkaktuar vdekjen e tij. “Der Spiegel” raportoi se ambasada ruse nuk është pajtuar që trupit t’i bëhet autopsia.
Burri, identiteti i të cilit nuk është publikuar, zyrtarisht ishte sekretar i dytë i ambasadës, shkroi revista gjermane. Ai kishte lidhje familjare me një zyrtar të lartë të drejtorisë së dytë të FSB-së, e cila merret me anti-terrorizëm.
“Der Spiegel” e citoi ambasadën ruse të ketë thënë se incidenti ishte një aksident tragjik për të cilin nuk do të komentojë për arsye etike. Ambasada nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së agjencisë “Reuters” për një koment rreth raportimit të revistës gjermane.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë tha në një konferencë të rregullt për gazetarë të premten se qeveria gjermane është e vetëdijshme për vdekjen e një diplomati rus në Berlin, por se nuk mund të ofrojë ndonjë hollësi për këtë rast.