Pfizer: Pilula jonë e ul rrezikun për 89 për qind nga Covid-i i ashpër
Një testim i pilulës eksperimentale të kompanisë “Pfizer” kundër Covid-19 është ndërprerë para kohës, pasi ilaçi i uli për 89 për qind gjasat për hospitalizim ose vdekje të të rriturve që ishin në rrezik nga Covid-i i ashpër, tha të premten kompania amerikane.
Rezultatet duket se janë më të mira se të kompanisë “Merck & Co”, e cila muajin e kaluar tha se pilula e saj, Molnupiravir, është treguar efikase për përgjysmimin e rrezikut nga hospitalizimi ose vdekja e pacientëve me Covid-19 të rrezikuar nga forma e ashpër e sëmundjes.
Aksionet e kompanisë “Pfizer” u rritën për 13 për qind, ndërsa ato të kompanisë “Merck” ranë për 6 për qind, shkruan Reuters.
Kompania “Pfizer” tha se planifikon që t’i dorëzojë në Administratën e Ushqimit dhe Ilaçeve të ShBA-së rezultatet e përkohshme të testimit për pilulën e saj, që jepet bashkë me një pilulë tjetër më të vjetër antivirale, të quajtur Ritonavir. Dorëzimi i rezultateve planifikohet të bëhet si pjesë e kërkesës për miratimin e përdorimit emergjent, të paraqitur në tetor.
Trajtimi me kombinim, që do ta ketë emrin “Paxlovid”, përbëhet nga tri pilula, të cilat duhet të merren dy herë në ditë.
Kompania tah se tash për tash pret që të prodhojë mbi 180.000 pako të pilulave deri në fund të vitit 2021 dhe së paku 50 milionë pako deri në fund të vitit të ardhshëm