Evropa sërish epiqendër e pandemisë
Evropa është sërish në epiqendër të pandemisë së koronavirusit, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Zyrtarë të lartë të saj thanë se kontinenti ka parë rritje prej më shumë se 50% të numrit të rasteve me koronavirus, muajin e fundit, duke e bërë atë epiqendër të pandemisë, pavarësisht furnizimit të bollshëm me vaksina.
“Mund të ketë shumë vaksina në dispozicion, por marrja e vaksinës nuk ka qenë e barabartë”, tha shefi i emergjencave në OBSH, Michael Ryan.
“Përvoja e Evropës është shenjë paralajmëruese për botën”, tha ai.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Ghebreyesus, tha se vendet që kanë imunizuar më shumë se 40% të popullsisë së tyre, duhet t’iu dhurojnë doza vendeve në zhvillim, që ende nuk u kanë ofruar qytetarëve të tyre as dozën e parë.
Drejtori për Evropën i OBSH-së, Hans Kluge, tha se numri në rritje i rasteve me koronavirus në rajon paraqet “shqetësim të madh”.
Ai tha se normat e shtrimit në spital janë dyfishuar javën e kaluar.
“Evropa është kthyer në epiqendrën e pandemisë, aty ku kemi qenë një vit më parë”, tha Kluge.
OBSH-ja për Evropën tha se rajoni numëron afro 1.8 milion raste të reja javore – një rritje prej rreth 6% nga java e kaluar, dhe 24,000 viktima javore, që nënkupton rritje për 12%.
Kjo është java e pestë me radhë që numri i të infektuarve në Evropë rritet. Sipas OBSH-së, kontinenti është rajoni i vetëm në botë ku infeksioni ende rritet.
Gjermania ka raportuar të enjten afro 34,000 raste të reja me koronavirus – shifër e paparë për këtë vend, që nga fillimi i pandemisë në mars të vitit të kaluar.
Në mesin e shumë gjermanëve që nuk janë të vaksinuar, janë më shumë se tre milionë të moshës mbi 60 vjeç, që konsiderohet se janë në rrezik të veçantë.