Videoja e Macronit dhe Merkelit bëhet virale
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i dha të mërkurën një përshëndetje të ngrohtë lamtumirëse Kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel. Ai e falënderoi “Zonjën e Hekurt” që e mbajti Evropën të bashkuar gjatë kohës së krizave.
Duke e mirëpritur zonjën Merkel në rajonin e njohur për prodhimin e verës, Burgundy, e jo në darkë formale shtetërore në pallatin presidencial në Paris, ku politikania gjermane është takuar me katër presidentë francezë, Macroni e falënderoi Merkelin për durimin e saj me të dhe për mësimet që ia ka dhënë, shkruan France24.
“Që nga koha kur ju jeni bërë kancelare, Franca ka mësuar që t’ju njohë dhe t’ju dojë”, i tha Macroni Merkelit përderisa ia dhuroi shpërblimin më të lartë, Legjionin e Nderit.
Në internet janë publikuar pamje nga takimi, ku dy udhëheqësit shihen shumë të afërt me njëri-tjetrin, duke u përqafuar e duke i mbajtur duart së bashku.
Macroni tha se Merkeli fillimisht ka punuar me ish-presidentin francez, Jacques Chirac, pastaj me ish-presidentin tjetër, Nicolas Sarkozy, për t’i bërë ballë krizës financiare dhe për ta mbajtur të bashkuar eurozonën, ndërsa me ish-presidentin Francois Hollande ka punuar për t’u ballafaquar me terrorizmin e me krizën e emigrantëve, ndërsa me vetë atë (me Macronin) ka bashkëpunuar për ta luftuar pandeminë e koronavirusit.
Zonja Merkel, tashmë 67-vjeçare, e ka udhëhequr Gjermaninë për rreth 16 vjet. Ajo do të largohet nga pushteti, kur të formohet koalicioni i ri qeveritar pas zgjedhjeve të 26 shtatorit, në të cilat ajo nuk kërkoi mandat të ri.
— Emmanuel Macron (@EmmanuelMacron) November 3, 2021