Mbi 80 vende zotohen të reduktojnë emetimet e metanit me 30%
“Metani është një nga gazrat që ne mund ta reduktojmë më shpejt dhe ulja e tij do të ngadalësonte menjëherë ngrohjen”, theksoi von der Leyen, duke kujtuar se ky gaz është përgjegjës për “rreth 30 për qind” të ngrohjes globale të planetit që nga Revolucioni Industrial.
“Është një nga gazrat më të fuqishëm serë”, shtoi presidenti amerikan, Joe Biden, duke siguruar se nënshkruesit e këtij angazhimi përfaqësonin 70 për qind të PBB-së globale, raporton ATSh.
SHBA-ja dhe BE-ja njoftuan në mesin e shtatorit se do të punonin së bashku për këtë projektmarrëveshje, pasi iu bashkuan dhjetëra vende të tjera, përfshirë Kanadanë, Korenë e Jugut, Vietnamin, Kolumbinë dhe Argjentinën.
Metani (CH4), i emetuar nga bujqësia dhe blegtoria, lëndët djegëse fosile dhe mbetjet, është gazi i dytë serrë i lidhur me aktivitetin njerëzor pas dyoksidit të karbonit (CO2).
Megjithëse flitet më pak për të, efekti i tij i ngrohjes është rreth 29 herë më i madh për kilogram se ai i dyoksidit të karbonit gjatë 100 viteve dhe rreth 82 herë në një periudhë 20 vjeçare.