Covidi kaplon Rusinë, rekord i dyfishtë me raste e viktima
Rusia të enjten shënoi rekord të dyfishtë me të infektuar e viktima të Covid-19, në ditën kur kryeqyteti Moskë i vendosi masat më të rrepta të izolimit që nga qershori i vitit të kaluar.
Gjatë 24 orëve të fundit, në Rusia zyrtarisht u raportuan 1.159 të vdekur nga Covid-19 e 40.096 raste të reja infeksionesh, shkruan The Guardian.
Në Moskë, të hapura do të jenë vetëm dyqanet esenciale si shitoret ushqimore dhe barnatoret, ndërsa shkollat dhe çerdhet për fëmijë janë mbyllur.
Banorët e Moskës mund të dalin nga shtëpitë lirisht, ndryshe nga izolimi i verës së vitit të kaluar, por masat e reja janë shenjë e shqetësimit të zyrtarëve për numrin rekord të viktimave, për të cilin është fajësuar shkalla e ulët e vaksinimit.
Pas masave të reja, banorët e kryeqytetit rus patën mendime të ndryshme. Lyubov Machekhina tha se kufizimet sigurisht do të ndihmojnë në uljen e rasteve, por dikush tjetër mendon krejt ndryshe.
Një banor që u prezantua si Mikhail, pa e treguar mbiemrin, pati dyshime për efektin e masave. “Sipas mendimit tim, nuk do të ndryshojnë asgjë. Ndoshta do ta ndalin përhapjen pak, por në të vërtetë, pa imunitetin e tufës është e palogjikshme. Nuk besoj se do të funksionojë”, tha ai.