Pas Rusisë, edhe Ukraina preket nga rekordet e viktimave dhe rasteve
Evropa Lindore është përfshirë nga përkeqësimi i gjendjes me pandeminë. Pas një vale rekordesh me viktima e raste në Rusi, të premten rekord të tillë të dyfishtë shënoi edhe Ukraina.
Gjatë 24 orëve të fundit, në shtetin e dytë më të madh të Evropës Lindore u regjistruan 23.785 raste të reja me Covid-19 dhe 614 të vdekur, shkruan The Guardian.
Kjo është dita e dytë radhazi që Ukraina shënon rekorde. Ky vend ka marrë masa shtesë për ta bërë të mundshëm testimin dhe vaksinimin në stacionet kryesore të trenit në pjesë të ndryshme të vendit, përfshir Kievin, Lvivin, Kjarkivin, Odesan dhe Dnipron.
Autoritetet gjithashtu kanë hapur qendra të ngjashme edhe në qendra tregtare me qëllim të rritjes së numrit të të vaksinuarve.
Sipas një postimi të Ministrisë së Shëndetësisë në Facebook, 95 për qind e të hospitalizuarve me Covid-19 janë persona të pavaksinuar.
Me një popullsi prej rreth 44 milionë banorësh, Ukraina deri më tani ka vaksinuar plotësisht kundër Covid-19 rreth 6.7 milionë njerëz, ndërsa dozën e parë të vaksinës e kanë marrë 8.3 milionë persona.