Një familje shqiptare padit Biden, fituan vizën e diversitetit por nuk u shqyrtua aplikimi
Një familje shqiptare dorëzoi në një gjykatë amerikane një padi ndaj presidentit Biden, sekretarit të shtetit Antony Blinken, ambasadores Yuri Kim dhe Morgan D. Miles drejtor i çështjeve konsullore.
Paditësit Mimoza Myslimi, bashkëshorti i saj Gramos Myslimi bashkë me djalin Orges Myslimi u përzgjodhën më 6 Qershor 2020 dhe fituan të drejtën për vizën amerikan të diversitetit.
Në padinë e publikuar nga Top Channel, thuhet se qendra e shqyrtimit të vizave nuk e mori në shqyrtim kërkesën paçka se familja Myslimi ishin përzgjedhur.
Vonesat lidheshin me situatën e krijuar nga Covid19.
Megjithatë qendra e shqyrtimit të kësaj lloj vize e ka marrë në konsideratë rastin e familjes Myslimi por ata janë vendosur në listën jo prioritare të aplikantëve.
Kjo është arsyeja përse ata i janë drejtuar me një padi gjykatës amerikane, nga ku i pari ndër të padituri është presidenti Biden.
“Familja Myslimi pretendon se zyrtarët federal nuk zbatuan procedurat administrative dhe në mënyrë arbitrare nuk shqyrtuan aplikimin e tyre” thuhet në dokumentet e gjykatës amerikane.
Në këtë padi ata i kërkojnë gjykatës të urdhërojë Departamentin Amerikan të Shtetit të shqyrtojë kërkesën dhe pajisjen me këtë vizë.
Pala e paditur paraprakisht i kërkoi gjykatës transferimin e këtij procesi gjyqësor në distriktin Kolumbia, gjë e cila është pranuar nga paditësit shqiptarë.