Ismaili: Me mua Kryetar, drejtorët në Komunën e Prishtinës, nuk do të jenë partiak
Kandidati për Kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili ka folur për vendimet e tij të para që ai do t’i marrë si Kryetar i Komunës së Prishtinës.
Ai ka folur për 100 vendimet që ai do t’i marrë në 100 ditët e para të qeverisjes. Njëri prej vendimeve të tij është që drejtorët në Komunën e Prishtinës nuk do të jenë partiak, por njerëz profesionistë të fushës që zgjidhen përmes dy kritereve: së pari – profesionalizmi, e së dyti – dashuria dhe përkushtimi i tyre ndaj qytetit të Prishtinës.
Ai ka thënë se së bashku me ekipin e tij do të qeverisin Prishtinën me plan, përkushtim, energji dhe vullnet – pa u ndalur asnjëherë, pa orar të zakonshëm prej orës 8:00 deri në 16:00, sepse qyteti ka shumë probleme e nevojitet shumë punë për të arritur deri tek zgjidhjet shumë të nevojshme.
“Këto 100 vendime janë zotimi im se do të punoj me bashkëpunëtorët në komunë dhe me qytetarët e Prishtinës që brenda 100 ditëve të kemi një qytet më të pastër e më të sigurt për të gjithë. Do të punojmë me administratën publike dhe të gjithë ata që do të na ndihmojnë në realizimin e këtyre planeve.”, ka thënë Ismaili në debatin e sontëm në RTK
Me mua si Kryetar, Prishtina do ta ketë vëmendjen dhe përkushtimin e plotë të kryetarit të komunës. Do të ketë mentalitet të ri të qeverisjes, me qasje shumë të afërt e të lehtë për qytetarët, ka thënë mes tjerash Ismaili.