Haradinaj: Kodrës së Trimave dhe Bardhoshit do t’i kthehet zona industriale
Kandidati i AAK-së për Prishtinën, Daut Haradinaj, është takuar me banorët e lagjeve Kodra e Trimave, Bardhosh dhe Kolovicë.
Para tyre Haradinaj ka thënë se projektet e tij janë të planifikuara mirë dhe nuk e tejkalojnë buxhetin e paraparë.
Teksa ka folur për problemet me të cilat ballafaqohen lagjet e Prishtinës, Haradinaj ka thënë se problemet mund të zgjidhen me pak buxhet.
“Duke i falënderuar qindra mbështetës nga Kodra e Trimave, Kolovica dhe Bardhoshi me rrethinë u premtova se nuk do të mbesin më në harresë të pushtetit. Aty do të ketë shkolla, palestra sportive, Shtëpi të Kulturës. Do të ndërtohet parku te pjesa e njohur si ‘Drenica 2’ ndërkaq do ta përkrahim Qendrën Olimpike – Sportive në Bërnicë” u shpreh Haradinaj
“Kodrës së Trimave dhe Bardhoshit duhet t’i kthehet Zona Industriale, këto pjesë të kryeqytetit nuk do të diskriminohen më”, ka vazhduar ai.