Termokosi zgjeron shtrirjen, ky lokacion do të ketë ngrohje për herë të parë
Edhe këtë vit parashihet që furnizimin me ngrohje Termokosi ta fillojë më 15 tetor, për 15 mijë konsumatorë, ka bërë të ditur për FaktePlus, zëdhënësja e kësaj Ndërmarrje Publike, Afërdita Uka-Zejnullahu.
Për herë të parë këtë vit me Termokos do të ngrohen 140 objekte banesore të rrugës “Muharrem Fejza”.
“Është në proces të realizimit Projekti për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, i cili është duke u realizuar me fondet e ndara nga Qeveria gjermane, nëpërmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), në kuadër të të cilit është duke u shtrirë rrjeti i ngrohjes tek një pjesë e lagjes “Mati 1”, konkretisht përreth rrugës “Muharrem Fejza”, ku në rrjetin e ngrohjes do të kyçen 140 objekte banesore”, ka thënë Uka-Zejnullahu për FaktePlus.
Gjithashtu ajo ka bërë të ditur se kapacitet që janë në dispozicion, përkatësisht që marrin nga Termocentrali Kosova B, janë 140 mwh.
Ndërsa tutje është shprehur se pavarësisht pandemisë, për asnjë moment nuk është çrregulluar funksionaliteti i kësaj ndërmarrje.
“Ndonëse, pandemia sikur edhe tek shumë institucione dhe ndërmarrje, ka pasur ndikim vitin e kaluar në një rënie të lehtë të shkallës së inkasimit, kjo nuk ka ndikuar në stabilitetin financiar të ndërmarrjes, pasi që sivjet kemi një ngritje të shkallës së inkasimit për rreth 30 për qind më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka thënë Uka-Zejnullahu.
Termokosi ndalon ngrohjen për qytetarët zakonisht me 15 prill.
/FaktePlus/