Qeveria belge shqyrton propozimin për 4 ditë pune në javë
Qeveria Federale e Belgjikës është duke diskutuar për një propozim për shkurtimin e javës së punës me orar të plotë nga pesë në katër ditë.
Propozimi është paraqitur nga liberalët me qëllim që java e punës të bëhet më fleksibile: punëtorët me orar të plotë prapë do të punonin 38 ose 40 orë në javë, por këtë punë do ta kryenin për katër ditë e jo pesë, shkruan “The Burssels Times”,
Me këtë propozim, qeveria dëshiron që t’i inkurajojë kompanitë për të mbajtur ditë pune me orar më të gjatë – nëntë orë e gjysmë. Në këmbim të kësaj, punëtorët do të kishin një ditë pushim shtesë.
“Në parim, ne mendojmë se është diçka e mirë për lirinë e punëtorit, por sigurisht se duhet të jetë zgjedhje e tij”, tha Myerem Almaci, kryetare e Partisë së Gjelbër flamane.
“Ka të bëjë me atë se si ata e organizojnë jetën e tyre. Duhet të përshtatet me jetën e njerëzve”, shtoi ajo, duke theksuar se duhet të dëgjohen edhe partnerët socialë para se të merret ndonjë vendim.
Jo të gjithë e kanë përkrahur këtë propozim. Sindikata socialiste e punëtorëve është kundër kësaj ideje, duke thënë se, mbi të gjitha, qëllimi duhet të jetë që punëtorët me orar të plotë të kenë më pak orë pune në javë.
Në fundjavën e ardhshme, Qeveria Federale do të diskutojë për atë se në cilët sektorë mund të zbatohet propozimi për katër ditë pune në javë dhe se si të gjendet një mundësi që orari ditor i punës të mos jetë shumë i gjatë.