Raportohen efekte kardiovaskulare, Suedia dhe Danimarka pezullojnë vaksinën amerikane për të rinj
Suedia dhe Danimarka kanë njoftuar se do ta pezullojnë vaksinimin me dozat e kompanisë amerikane, “Moderna”, për grupmoshat e reja pas raportimeve për efekte të rralla anësore kardiovaskulare.
Agjencia e shëndetit publik në Suedi tha se do ta pezullojë përdorimin e vaksinës amerikane për personat e lindur në vitin 1991 e më pas, pasi të dhënat tregojnë për rritje të rasteve të miokarditisit dhe perikarditisit në mesin e të rinjve që janë vaksinuar. Këto probleme përfshijnë inflamacion të zemrës ose të shtresës së brendshme të saj.
“Lidhja është veçanërisht e qartë, kur bëhet fjalë për vaksinën e Moderna-s, Spikevax, sidomos pas dozës së dytë”, tha agjencia e shëndetit publik në Suedi, duke shtuar se rreziku i prekjes nga këto probleme është shumë i vogël.
Danimarka tha se, ndonëse e përdor vaksinën e kompanisë “Pfizer” si kryesore për personat e moshës 12 deri 17-vjeçare, ka vendosur që ta pezullojë përdorimin e vaksinës së kompanisë “Moderna” për personat nën moshën 18-vjeçare në bazë të parimit të kujdesit paraprak.
Aksionet e kompanisë “Moderna” ranë për 4.9 për qind në pasditen e së hënës, shkruan Reuters.
Një zëdhënës i kompanisë amerikane tha se firma është e vetëdijshme për vendimet e rregullatorëve në Danimarkë dhe Suedi për shkak të efekteve të rralla anësore, por se rastet janë zakonisht të lehta dhe individët shërohen për një kohë të shkurtër pas marrjes së trajtimit dhe pushimit.
“Rreziku nga miokarditisi rritet në mënyrë përmbajtësore për ata që preken nga Covid-19 dhe vaksinimi është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur prej kësaj”, thuhet në dërgesën elektronike të zëdhënësit të kompanisë “Moderna”.