Nis mbushja me gaz e gazsjellësit të ri mes Gjermanisë e Rusisë
Operatori i gazsjellësit “Nord Stream 2” ka filluar që ta mbushë atë me gaz. Pavarësisht kundërshtimeve nga ShBA-ja, projekti që e lidh Rusinë me Gjermaninë nuk u ndal.
“Nord Stream 2 AG”, kompani me seli në Zvicër, pjesë e një kompanie vartëse të gjigantit rus, “Gazprom”, tha përmes një deklarate të hënën se segmenti i parë i gazsjellësit do të mbushet në mënyrë graduale për ta krijuar shtypjen, shkruan Free Europe.
Hapi më i ri, që e sjell gazsjellësin afër operimit, u mor në kohën kur Evropa po përballet me zvogëlim të rezervave të kësaj lënde dhe rritje të çmimit të energjisë, duke e vënë në rrezik rimëkëmbjen ekonomike të kontinentit para sezonit dimëror të ngrohjes.
Mediet gjermane kanë raportuar se gazi mund të fillojë të transportohet mes dy shteteve që nga ky muaj, por rregullatorët janë duke i analizuar dokumentet përfundimtare për ta dhënë miratimin e fillimit të operimit.
Rregullatorët kanë kohë deri në janar që të marrin një vendim për atë nëse ky gazsjellës është rrjet i pavarur i transportit, në linjë me direktivat e BE-së, raportoi transmetuesi publik, MDR.
Gazsjellësi “Nord Stream 2” është ndërtuar për të transportuar gaz rus drejtpërdrejt në Gjermani, duke i anashkaluar rrugët e vjetra përmes Ukrainës dhe duke e lënë këtë shtet pa 2 miliardë dollarë në vit, të cilat i siguronte përmes taksave të transitit.