Foshnja e cila u shpëtua nga ushtari amerikan në aeroportin e Kabulit, jeton tani me familjen e saj në Arizona
Foshnja e cila iu dorëzua një ushtari amerikan përmes gardhit me gjemba në aeroportin e Kabulit është ribashkuar me familjen e saj dhe tani po jeton në Arizona, bazuar në raportimet e medieve lokale.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, fotografia dhe pamjet e kësaj foshnje në Afganistan kanë bërë xhiron rreth e rreth botës.
Babai i saj, Hammed, i cili u identifikua vetëm me emrin e tij të parë për arsye sigurie, ishte brenda perimetrit Aeroportit Ndërkombëtar Hamid Karzai, bashkë me gruan dhe të porsalindurin mes masës së njerëzve që përpiqeshin të iknin nga Afganistani.
“Atë ditë ia dorëzova fëmijën tim një të panjohuri total”, tha ai. “Të vetmen gjë që besova është se ai ishte një marins dhe se vajza ime do të ishte e sigurt”.
Marinsat u filmuan duke kapur foshnjën nga krahët e babait të saj dhe duke e tërhequr për një vend më të sigurt, përmes gardhit me gjemba, derisa ky moment tërhoqi vëmendjen e botës në mes të evakuimit të SHBA-së nga vendi i kontrolluar nga talebanët.