KEDS me 69 projekte investive në Skenderaj, vlera e tyre kap shifrën e rreth 6 milionë eurove
Këshilltari Ekzekutiv i Kryeshefit të KEDS, Fidan Dushi, i shoqëruar nga Drejtori për Investime, Faruk Gjukaj dhe Zyrtari i Pajtueshmërisë, Avni Alidemaj, pritën sot në takim Kryetarin e Komunës së Skenderajt, Bekim Jasharin.
Në këtë takim, u diskutua rreth infrastrukturës aktuale të energjisë elektrike në Komunën e Skenderajt, me theks të veçantë për projektet investive të cilat do të fillojnë së shpejti atje.
Kryetari Jashari, me këtë rast shprehi mirënjohjen e tij për bashkëpunimin e deritanishëm me KEDS. Ai tha se komuna që drejton, është e gatshme të mbështesë KEDS-in në implementimin e projekteve, ndërsa kërkoi që të përshpejtohet dinamika e realizimit të punimeve në terren.
Përgjatë këtij takimi, Këshilltari Ekzekutiv i Kryeshefit të KEDS, Fidan Dushi, theksoi se kompania ka realizuar dhe do të vazhdoj realizimin e projekteve të shumta investive në këtë komunë, në mënyrë që konsumatorëve tanë t’u ofrohen shërbime kualitative të furnizimit me energji elektrike.
Ndërkaq, Drejtori për Investime në KEDS, Faruk Gjukaj potencoi se gjatë këtij viti, KEDS do të nis 69 projekte investive në Komunën e Skenderajt, ku vlera e investimit në këto projekte do të jetë rreth 6 milionë euro.