Daut Haradinaj hap fushatën, shpalos programin për Prishtinën
Kandidati për komunë të Prishtinës nga AAK-ja, Daut Haradinaj, ka shpalosur programin e tij ku premtoi ndërtimin e një spitali regjional për kryeqytetin.
Në programin e tij e “E para Prishtina”, Haradinaj tha se janë të përfshirë të gjitha sektorët, ku sipas tij ka nevojë për ndërhyrje të mëdha për të rregulluar mirëqenien e qytetarëve të kësaj komune.
“Sot edhe zyrtarisht e hapim fushatën dhe si nisje prezantojmë programin. Gjatë këtyre muajve ka qenë prioritet pjesëmarrja e rinisë. Është shumë me rëndësi që me qeverisjen e ardhshme është zbatimi i ligjit për kryeqytetin. Është decentralizimi buxhetor. Policia e kryeqytetit, inkasimi, infrastruktura një prej pikave që ne e mendojmë. Tash e 21 vjet i vetmi qytet që nuk ka spital regjional. Qytetit jonë nuk e ka një spital të tillë. Dhe këtë e kemi menduar të dërgojmë në pjesën e Llukarit. Është mundësia e artë me pas spitalin. Pastaj është trafiku. Dhe duhet të zgjidhet ky problem me trafikun dhe kemi menduar tri nënkalime në pjesën e sheshit. Të gjitha janë projekte të miratuara. Zgjidhja e parkingut në tri hyrje të kryeqytetit duhet të zgjidhet si çështje”.
Haradinaj tha se një prej probleme është legalizimi në kryeqytet.
“Në Vranjevc nuk ka plan të detajuam kanë probleme me kanalizim, ndriçim dhe është injoruar qe 20 vjet. Është një situatë kaosi. Kemi sportin që po krenohet rajoni ndërsa buxheti është jashtëzakonisht i vogël. Komuna e Prishtinës buxhetin e ka ndër 1 milion euro dhe është shumë pak për salla sportive. Ne duhet të gjejmë forma ta përkrahim kulturën në sheshin e kryeqytetit. Pastaj është edhe akademia muzikore. Pastaj kemi arsimin. Në situatën e fundit janë 4 projekte të shkollave. Dhe këto projekte kanë mbetur në mungesë të anëtarëve. Hajvali është situatë jo e lehtë për fëmijë dhe është projekti i parë që është paraparë. Duhet të shkojmë në ndërhyrje urgjente në çerdhe dhe shkolla”.
Tutje, kandidati për kryetar të Prishtinës, Haradinaj theksoi se prioritet tjetër do të jetë edhe Pallati i Rinisë.
Haradinaj tha se kanë takuar shumë njerëz të zotë të kulturave bujqësore dhe kanë menduar që t’u krijojnë lehtësira në garantimin e tregut.
“Ne kemi menduar t’i stimulojmë me derivate e plehra. Kemi edhe blegtore që kanë probleme me rrymë. Kontrollin prerjen e pyjeve dhe askush nuk e trajton këtë temë. Taksa komunale në gastronomi do të ulet. Sot Kosova ka tri medalje dhe duhet m’i nderu edhe yjet si Nexhmije Pagarusha. Gastronomët duhet ta kenë një këshilltar për fushë të gastronomisë dhe duhet t’i trajtojmë mirë. Fabrika më e madhe e punësimit janë gastronomë”.
Këto janë një pjesë si shumë prioritet për Prishtinë, tha Haradinaj.
Ai tha se për tri vjet do t’i realizojnë të gjitha këto projekte qe kanë para vetes.