Lufta me zjarret në Turqi dhe Greqi
Qindra zjarrfikës grekë luftuan të dielën me zjarret në ishullin Evia.
Zjarret kanë djegur zona të gjera me pyje, kanë shkatërruar shtëpitë si dhe kanë detyruar turistët dhe vendasit të largohen.
Ka dy javë që Greqia dhe Turqia po luftojnë me zjarret shkatërruese, pasi rajoni po përballet me valën e tij më të keqe të të nxehtit në disa dekada.
Zyrtarët dhe ekspertët kanë thënë se kjo situatë është pasojë e ndryshimit të klimës.
Deri më tani, nga zjarret janë vrarë dy persona në Greqi dhe tetë në Turqinë fqinje, si dhe dhjetëra të tjerë janë shtruar në spital.
Derisa në Turqi reshjet e shiut e qetësuan pak situatën, në Greqi temperaturat po vazhdojnë të jenë të larta.
Ishulli Evia, i cili shtrihet në lindje të kryeqytetit, po e pëson më së keqi me mijëra hektarë të kthyera në hi dhe shkatërrime të shtëpive. Mijëra njerëz janë evakuuar.
Zjarrfikësve grekë po u dalin në ndihmë edhe zjarrfikësit nga vendet tjera përfshirë Ukrainën dhe Rumaninë, raporton REL.
Një zyrtar i shërbimit zjarrfikës i tha gazetës “Eleftheros Typos” se nxehtësia nga zjarret në Evia dhe vende tjera ishte aq e lartë saqë “avullohej edhe uji nga avionët dhe mjetet tjera” para se të arrinte në vatrën e zjarrit.
Zëvendësministri grek i Mbrojtjes Civile, Nikos Hardalias, tha të shtunën (7 gusht) se u është ofruar strehim i përkohshëm 2.000 njerëzve që janë evakuuar.
Sipas Sistemit Evropian të Informacionit të Zjarrit dhe Pyjeve në 10 ditët e fundit 56,655 hektarë tokë janë djegur në Greqi. Numri mesatar i hektarëve të djegur gjatë së njëjtës periudhë midis 2008 dhe 2020 ishte 1.700 hektarë.