“Pashë gra të gëzuara, desha t’i vras”, 10 të lënduar nga sulmi me thikë në trenin e Tokios
Një burrë ka sulmuar me thikë udhëtarët në një tren të Tokios në mbrëmjen e së premtes, duke lënduar dhjetë prej tyre.
I dyshuari 36-vjeçar i tha policisë se u zemërua kur pa disa gra që “dukeshin të gëzuara” dhe dëshiroi t’i vriste, sipas raportimeve të medieve lokale.
Një studente thuhet se është në gjendje më të rëndë, ndërsa nëntë të tjerët kanë marrë lëndime më të lehta, shkruan BBC.
Krimet e tilla janë të rralla në Japoni dhe Tokio është nën masa të rrepta të sigurisë në kohën kur po zhvillohen Lojërat Olimpike.
Burri i dyshuar i sulmoi pasagjerët në trenin që ndodhej afër stacionit Seijogakuen rreth orës 20 e 40 minuta të së premtes.
Treni u ndal në mënyrë urgjente nga vozitësit, pasi ata dëgjuan zhurmë brenda vagonëve.
Sipas hetuesve, i dyshuari kërceu mbi binarë dhe iku nga vendi i ngjarjes, por më vonë hyri në një dyqan dhe i tha stafit se ai është i dyshuari për incidentin e raportuar në medie dhe se është lodhur duke ikur.