BE i del në ndihmë Turqisë pas përhapjes së zjarreve pyjore
Të hënën, Bashkimi Evropian ka nisur ndihmën për Turqinë pas zjarreve të shpërndara në disa pjesë të vendit.
Zjarret pyjore në Turqi deri tani kanëlënë të vdekur tetë persona dhe kanë rritur presionin ndaj presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.
Këto zjarre janë duke u zgjeruar kryesisht në rajonet turistike të Turqisë, përkatësisht në brigjet e Mesdheut dhe Egjeut, duke shtyrë edhe evakuimin e turistëve nga hotelet.
Lideri turk, Tayyip Erdogan, është kritikuar pasi gjatë fundjavës është parë duke iu hedhur banorëve lokalë qese çaji, përgjatë një vizite në zonat më të prekura nga zjarret.
Qeveria po ashtu ka bërë të ditur se nuk ka pasur plane paraprake për shuarje të zjarreve dhe është dashur të varet nga ndihma e huaj për t’u përballur me flakët.
Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu ka falëndruar Brukselin të hënën për dërgim të një aeroplani nga Kroacia dhe dy nga Spanja.
Të dhënat e Bashkimit Evropian kanë treguar se sezona e zjarreve këtë vit, ka qenë dukshëm më shkatërruese se vitet paraprake.
Temperaturat e larta dhe erërat besohet se janë shkaktaret kyçe të këtyre zjarreve.