E fshehin kokainën duke e bërë si tortë, ua zbulon qeni i policisë
Një burrë dhe një grua janë arrestuar në Shtetet e Bashkuara, pasi në veturën e tyre u gjet kokainë e fshehur në një pako që dukej si tortë, njoftoi DEA amerikane.
Duke vepruar pas informatave të pranuara nga burime anonime, agjentët e ndalën veturën e të dyshuarve të martën. Një qen i trajnuar u dha shenjë zyrtarëve për praninë e drogës ilegale në veturë, thuhet në njoftim.
Brenda veturës, forcat e rendit gjetën rreth 1.8 kilogram kokainë dhe rreth 1.900 dollarë kesh, që besohet se janë fituar nga shitja ilegale e drogës, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.
Një pjesë e drogës së gjetur ishte shtypur në formë blloku dhe ishte mbështjellë me mbështjellës së tortës, njoftoi komandanti lokal i DEA-s, Peter Arno. Mbi drogë ishte vendosur një shtresë e hollë e kafesë për t’ia larguar erën.
Vlera e përgjithshme e drogës së konfiskuar është vlerësuar rreth 200.000 dollarë. Agjentët besojnë se droga është futur në ShBA po me këtë paketim – e “maskuar” si ëmbëlsirë.