Nga Spitali i Gjakovës tregojnë për gjendjen shëndetësore të fëmijës që u dërgua nga Deçani
Një fëmijë 1 vjeç ishte dërguar në Spitalin e Gjakovës, pas tri ditësh që ishte trajtuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan dhe i ishte përkeqësuar gjendja.
Nga Spitali i Gjakovës, “Isa Grezda”, kanë bërë të ditur se fëmija nuk ka të bëj asgjë me helmimet e ditëve të fundit në Komunën e Deçanit.
Sipas mjekëve të repartit të Pediatrisë në Gjakovë, fëmija ka një “viroz sezonale”.
Po ashtu, nga po i njëjti ekip i mjekëve që e kanë trajtuar fëmijën kanë thënë se asnjëri nga familjarët e fëmijës nuk është i infektuar nga uji, siç dyshohet se janë infektuar gati 2 mijë qytetarë të Deçanit, gjatë katër ditëve të fundit.
Ndryhse, situata në komunën e Deçanit vazhdon të jetë e rëndë.
Numër i madh i qytetarëve edhe gjatë ditës së djeshme kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Adem Ukëhaxhaj” në këtë komunë.
Doktoresha Feride Dautaj, në një prononcim për Telegrafin ka treguar se nga ora 15:00 e së mërkurës e deri sot në orën 07:00 , ndihmë mjekësore kanë kërkuar 114 pacientë.
“Prej tyre 67 kanë qenë me simptomatologji të helmimit, kurse dy raste i kemi referuar për në Spitalin e Pejës”, tha Dautaj.
Ajo shtoi se gjatë natës ka qenë kryesisht qetë, mirëpo në orët e mëngjesit ka filluar sërish fluksi i pacientëve.
Kujtojmë se që nga dita e diele e deri më sot, numri i qytetarëve me simptoma të helmimit që janë paraqitur në QKMF në Deçan, ka kaluar mbi 2 mijë.
Komuna e Deçanit ka shpallur gjendje emergjente.