Asnjë i mbijetuar nga rrëzimi i aeroplanit në Rusi
Agjencitë ruse të lajmeve cituan zyrtarë të shpëtimit të kenë thënë se nuk është asnjë i mbijetuar nga rrëzimi i aeroplanit me 28 persona brenda tij në pjesën lindore të Rusisë.
Aeroplani i tipit Antonov AN-26 ishte nisur nga kryeqyteti rajonal, Petropavlovsk-Kamchatsky, për në Palana, fshat në veri të gadishullit Kamchatka, kur e humbi kontaktin me kontrollin e trafikut ajror, tha Ministria e Emergjencave.
Duke cituar burime, agjencia Interfax raporton se aeroplani mendohet të jetë përplasur në një shkëmb përderisa po përgatitej të aterronte në kushte të vështira të dukshmërisë, shkruan Reuters,
Autoriteti rus i aviacionit civil konfirmoi se është gjetur vendi i rrëzimit të aeroplanit, pasi Ministria e Emergjencave dërgoi një helikopter dhe disa ekipe në terren për ta kërkuar aeroplanin për të cilin fillimisht u tha se është zhdukur.
Në aeroplan ndodheshin 22 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit. Agjencia TASS raportoi se në mesin e pasagjerëve ishte edhe kryetarja e fshatit Palana, Olga Mokhireva.
Standardet e sigurisë së aviacionit janë përmirësuar viteve të fundit në Rusi, por aksidentet nuk kanë qenë shumë të rralla, sidomos ato me aeroplanë të vjetruar.
Para pak më shumë se një viti, një aeroplan i kompanisë “Saratov Airlines” u rrëzua pak minuta pas ngritjes nga Moska. Të gjithë 71 personat që ndodheshin në të vdiqën.