Kim Jong Un është zbehur pak, nuk është rastësi
Qëllimi i mediave të kontrolluara të Koresë së Veriut është ta lidhin humbjen e peshës së Kim Jong Un me mungesën aktuale të ushqimit atje.
Përmendja e rrallë e shëndetit të Kim Jong Un në mediat e Koresë së Veriut mund të synojë t’i parandalojë spekulimet mbi këtë temë, por edhe ta ngrejë çështjen se si ai po bën sakrifica për shkak të mungesës së ushqimit, thonë analistët.
Mediat shtetërore të kontrolluara rreptësisht nga diktati verikorean të premten cituan një banor të paidentifikuar të Pyongyangut të thoshte se të gjithë në Korenë e Veriut kishin zemrat e thyera pasi panë fotot e Kim që dukej “i rrënuar”.
Kur Kim u rishfaq në mediat shtetërore në fillim të qershorit, pasi nuk ishte parë në publik për gati një muaj, analistët vunë re se ora e tij dukej e shtrënguar më fort se më parë rreth kyçit të tij dukshëm të hollë, duke shkaktuar spekulime rreth shëndetit të liderit diktatorial që mban kontroll hekuri në Korenë e Veriut.
“Nëse vëzhguesit e jashtëm kanë vërejtur ndryshimin në pamjen e Kim, unë mund të vë bast se verikoreanët e vunë re atë shumë më parë”, tha Christopher Green, një specialist nga Universiteti i Leiden në Hollandë.
“Është e paqartë nëse humbja e peshës së Kim është rezultat i një sëmundjeje, qëllimi pas mbulimit të mediave shtetërore është i panjohur”, tha Jenny Town, drejtoreshë e projektit 38 North, i bazuar në Shtetet e Bashkuara.
“Është pak e çuditshme ta shfaqësh atë me rroba kaq të papërshtatshme, sepse optikat duket se theksojnë humbjen e peshës së tij”, tha ajo.